AKTIVITET TRAJNUES: “Pushimi i gjykimit në referim të nenit 299 të Kodit të Procedurës Civile” 28 tetor 2025

Shkolla e Magjistraturës, më datë 28 tetor 2025, po zhvillon aktivitetin trajnues me temë: “Pushimi i gjykimit në referim të nenit 299 të Kodit të Procedurës Civile, veçanërisht rastet e pushimit kur çështja nuk hyn në juridiksionin gjyqësor, si dhe kur padia nuk mund të ngrihet ose kur gjykimi nuk mund të vazhdojë. Dallimi nga rastet e rrëzimit të padisë”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.

Ky aktivitet trajnues drejtohet nga: 

Ekspert: Dashamir Kore

Lehtësuese: Arjeta Lika

Qëllimi i këtij trajnimi: Aftësimi i pjesëmarrësve në trajnim në lidhje me çështjet gjyqësore që lidhen me rastet e pushimit të gjykimit në referim të nenit 299 të Kodit të Procedurës Civile.

Trajnimi po realizohet duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve. 

Gjatë këtij aktiviteti trajnues do të trajtohen tema të ndryshme, si:

  • Vështrim historik në lidhje me institutin procedural të “padive që nuk mund të ngrihen”. Prezumimet procedurale absolute, si parakushte për vlefshmërinë e gjykimit, pasojat që sjell vërtetimi i tyre për procesin gjyqësor sikurse janë litispendenca, mungesa e juridiksionit gjyqësor etj;
  • Pushimi i gjykimit në referim të nenit 299 të Kodit të Procedurës Civile, veçanërisht rastet e pushimit kur çështja nuk hyn në juridiksionin gjyqësor, si dhe kur padia nuk mund të ngrihet ose kur gjykimi nuk mund të vazhdojë. Dallimi nga rastet e rrëzimit të padisë;
  • Praktika gjyqësore mbi interpretimin që duhet të bëhet lidhur me institutin procedural të “padive që nuk mund të ngrihen”. Vlerësimi i mungesës së legjitimimit real aktiv dhe atij pasiv të palëve ndërgjyqëse, apo vlerësimi i legjitimimit formal/procedural,  disponimi në përfundim të një gjykimi themeli rrëzimin e padisë apo pushimin e gjykimit duke e kualifikuar padinë si padi që nuk mund të ngrihet;
  • Neni 158/a/2 i KPC gjyqtari me vendim pa caktuar seancën përgatitore, vendos pushimin e gjykimit, nëse vërtetohet një nga rrethanat e parashikuara nga neni 299 i KPC. Në të njëjtën mënyrë edhe gjykata me juridiksion rishikues që shqyrton mosmarrëveshjen nëse nuk kanë vepruar gjykatat e faktit menjëherë duhet të konstatojë pengesën dhe të disponojë me vendim jo përfundimtar mbi çështjen.

Në këtë aktivitet trajnues marrin gjyqtarë dhe Inspektorë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) të Republikës së Shqipërisë.